Prishtina po përballet me vështirësi teknike në grumbullimin e mbeturinave, por Komuna ka ndërmarrë masa për të përmirësuar situatën. Kryetari Përparim Rama njoftoi se ndërmarrja komunale “Pastrimi” kërkoi mbështetje institucionale, dhe Komuna reagoi menjëherë duke firmosur një Marrëveshje Mirëkuptimi me Ndërmarrjen Rajonale “Pastrimi”.
“Menjëherë pas pranimit të kërkesës, kemi ofruar mbështetjen e nevojshme dhe kemi nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi me Ndërmarrjen Rajonale ‘Pastrimi’, në të cilën janë përcaktuar ndihma konkrete dhe parimet bazë të bashkëpunimit ndërinstitucional”, ka shkruar Rama.
Nga sot, sipas marrëveshjes, Ndërmarrja Rajonale “Pastrimi” ka nisur operacionet në terren, duke u fokusuar në grumbullimin dhe largimin e mbetjeve inerte ndërtimore dhe të mbetjeve vëllimore nga deponitë ilegale në qytet.
“Ky bashkëpunim pritet të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve operative në terren, duke mundësuar shërbime më të shpejta dhe më efikase, në funksion të përmirësimit të pastërtisë dhe cilësisë së jetës për qytetarët e Prishtinës”, theksoi kryetari Rama.
Komuna bëri të ditur se bashkëpunimi ndërinstitucional do të vazhdojë edhe në periudhën në vijim, me qëllim adresimin e sfidave në menaxhimin e mbeturinave dhe sigurimin e shërbimeve publike për qytetarët.







