Tregjet ndërkombëtare kanë shënuar një zhvillim historik, pasi çmimi i arit ka kapërcyer për herë të parë pragun prej 5,000 dollarësh për ons (28 gramë). Kjo rritje vjen si vazhdim i një trendi të fortë, ku gjatë vitit 2025 metali i çmuar është rritur me mbi 60%.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, ky rekord i ri lidhet ngushtë me rritjen e tensioneve gjeopolitike dhe pasigurinë financiare globale. Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, veçanërisht rreth çështjes së Grenlandës, kanë shtuar shqetësimet në tregje.
Në të njëjtën kohë, politikat tregtare të presidentit amerikan Donald Trump kanë ndikuar negativisht në besimin e investitorëve. Ai ka paralajmëruar vendosjen e një tarife 100% ndaj Kanadasë, në rast se ajo arrin një marrëveshje tregtare me Kinën.
Në periudha pasigurie, ari dhe metalet e tjera të çmuara konsiderohen si asete të sigurta, drejt të cilave investitorët orientohen për mbrojtje të kapitalit. Kjo tendencë është reflektuar edhe te argjendi, i cili të premten kaloi për herë të parë vlerën 100 dollarë për ons, pas një rritjeje gati 150% gjatë vitit të kaluar.
Rritja e kërkesës për metale të çmuara është nxitur edhe nga faktorë të tjerë ekonomikë, përfshirë inflacionin mbi nivelet normale, dobësimin e dollarit amerikan, blerjet e shtuara nga bankat qendrore në mbarë botën dhe pritshmëritë që Rezerva Federale e SHBA-së të ulë sërish normat e interesit gjatë këtij viti.
Po ashtu, konfliktet e vazhdueshme në Ukrainë dhe Gazë, si dhe tensionet politike që lidhen me presidentin venezuelan Nicolas Maduro dhe Uashingtonin, kanë ndikuar në rritjen e mëtejshme të çmimit të arit.









