Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat më të fundit për mirëqenien sociale për muajin dhjetor 2025, duke evidentuar ndryshime të dukshme në numrin e përfituesve të skemave pensionale dhe sociale krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Të dhënat tregojnë se shumica e skemave kanë pësuar rënie, ndërsa disa kategori specifike kanë shënuar rritje.
Sipas ASK-së, ulja më e theksuar është regjistruar te përfituesit e pensioneve invalidore të punës, me një rënie prej 27.5 për qind. Rënie e konsiderueshme është vërejtur edhe te pensionet e Trepçës (-20.6%), pensionet familjare (-10.6%), skema e ndihmës sociale (-10.3%), pensionet kontribut-paguese të moshës (-2.0%) si dhe te skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës (-1.4%).
Në anën tjetër, statistikat tregojnë rritje të numrit të përfituesve në disa skema të caktuara. Rritja më e madhe është shënuar te pensionet paraplegjike dhe tetraplegjike, me 12.6 për qind më shumë përfitues krahasuar me një vit më parë. Po ashtu, rritje kanë regjistruar pensionet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (8.6%), përkrahja financiare për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara (8.0%), pensionet bazike të moshës (7.5%) si dhe kompensimet për punëtorët e arsimit të viteve ’90 (5.1%).
Rritje shtesë është vërejtur edhe te pensionet për personat me aftësi të kufizuara (4.5%), veteranët e luftës (2.7%), kompensimet për personat e verbër (1.2%) dhe pensionet e Trupave Mbrojtëse të Kosovës – TMK (0.8%).
Nga ASK bëhet e ditur se këto statistika reflektojnë ndryshimet vjetore në strukturën e përfituesve të skemave të mirëqenies sociale dhe shërbejnë si bazë për analizimin dhe vlerësimin e politikave sociale në vend. Për informacione shtesë, qytetarët mund t’i referohen faqes zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.







