Bakteret dhe ndotësit e ushqimit
Bakteret janë të pranishme në çdo ushqim që konsumojmë çdo ditë, por nëse nuk tregojmë kujdes gjatë përpunimit, gatimit dhe ruajtjes, ato mund të shumfishohen deri në masë që të shkaktojnë sëmundje të ndryshme. Përveç baktereve, ushqimi mund të kontaminohet edhe nga parazitë, viruse, toksina dhe kimikate, të cilat janë shkaktarë të zakonshëm të sëmundjeve, përfshirë helmimin nga ushqimi.
Simptomat e helmimit nga ushqimi
Helmimi nga ushqimi mund të shoqërohet me diarre, të përzier, dhimbje stomaku, të vjella, dehidratim dhe ethe. Dehidratimi mund të shkaktojë marramendje, humbje ekuilibri, lodhje dhe etje të tepërt. Shkalla e helmimit varet nga organizmi, sasia e baktereve, mosha dhe gjendja e përgjithshme shëndetësore.
Grupet më të rrezikuara
Disa kategori janë më të prekshme ndaj helmimit. Të moshuarit kanë një sistem imunitar më të dobët dhe nuk reagojnë shpejt ndaj organizmave infektues. Fëmijët e vegjël dhe bebet nuk kanë imunitet të zhvilluar plotësisht, ndërsa personat me sëmundje kronike ose ata që i nënshtrohen kimioterapisë janë gjithashtu të rrezikuar. Gratë shtatzëna janë një tjetër grup i ndjeshëm, pasi ndryshimet imunitare gjatë shtatëzanisë e bëjnë më të vështirë luftimin e infeksioneve, duke rrezikuar edhe shëndetin e fetusit.
Si të veproni në rast helmimi
Nëse hasni helmim nga ushqimi, pini ujë ose lëngje me gllënjka të vogla për të parandaluar dehidratimin. Duhet të shmangen medikamentet kundër diarresë, sepse ngadalësojnë eliminimin e baktereve dhe toksinave nga organizmi. Nëse simptomat zgjasin më shumë se dy ditë, temperatura tejkalon 38 gradë, diarea ose të vjellat nuk ndalen, ose shfaqen konfuzion dhe dhimbje të forta stomaku, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore.
Kujdesi është çelësi
Duke zbatuar këto masa, mund të menaxhohet helmimi nga ushqimi dhe të parandalohet përkeqësimi i shëndetit. Kujdesi gjatë përpunimit, gatimit dhe ruajtjes së ushqimeve mbetet gjithmonë mënyra më e mirë për të mbrojtur organizmin nga sëmundjet e shkaktuara nga ushqimi.









