Gjatë procesit të rinumërimit të votave në rajonin e Prizrenit, Prokuroria ka identifikuar shenja të keqpërdorimeve të mundshme në numërimin e rezultateve zgjedhore.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka njoftuar se ka dhënë autorizim për Policinë e Kosovës që të identifikojë personat përgjegjës dhe të mbledhë prova, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet e dokumenteve.
Kryeprokurori theksoi se çdo falsifikim i dokumenteve zgjedhore dhe çdo manipulim i votës janë vepra penale dhe do të ndëshkohen pa kompromis. “Si institucion i Prokurorit të Shtetit, kemi monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore. Tani që rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit,” tha Kryeziu.
Ai shtoi: “Në këtë drejtim, sot (e diel), në cilësinë e kryeprokurorit me vetiniciative kam lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës që të identifikojë personat përgjegjës, të sigurojë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet. Çdo person që ka vendosur nënshkrimin e tij duke falsifikuar rezultatet zgjedhore dhe duke ndryshuar vullnetin e qytetarit, nuk duhet të qëndroj i qetë, do të mbajë përgjegjësi të plotë penale. Manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore janë krim dhe do të ndëshkohen pa kompromis.”







