Pavarësisht paralajmërimeve se situata energjetike do të stabilizohej brenda një dite, vlerësimet nga ekspertët tregojnë se rreziku për reduktime të energjisë elektrike mbetet real.
Ekspertja e energjisë dhe tash deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, vlerëson se Kosova do të përballet me vështirësi serioze në furnizim, për shkak të importit të lartë të energjisë dhe mungesës së planifikimit afatgjatë. Sipas saj, kapacitetet aktuale të prodhimit nuk po arrijnë të mbulojnë kërkesën.
“Edhe pse është ngritur blloku B1 dje dhe A4 është funksionalizuar, prapë se prapë A4 ka kapacitet gjenerues shumë më të vogël sesa që është dashur, ose shumë më të vogël se sa që është normale, dhe kjo bën që edhe sot të jemi në import. Deklaratat e KEK-ut për gjenerimin që po bëjnë nuk po e sanojnë situatën, domethënë jemi 400 deri në 500 megavat të importuara në orë dhe kjo i bie që importi mund të shkojë deri në 50 mijë euro”, tha ajo.
Ymeri thekson se mungesa e stabilitetit energjetik e bën të pashmangshme mundësinë e reduktimeve.
“Mundet me pas reduktime, sepse nuk ka stabilitet energjetik. Ose import shumë i lartë, ose reduktime të energjisë elektrike – duhet ta kemi të qartë. Prishtina ndikohet shumë më pak nga reduktimet e energjisë elektrike, por po e shoh që vendet si Ferizaj janë të atakuara shumë më shumë prej reduktimeve. Pra, nuk ka kapacitet të mjaftueshëm, ose është import, dhe ajo që ka ndodhur në ditët e kaluara është se nuk ka pasur as kapacitet për import dhe më pas kanë shkuar me reduktime”, theksoi Ymeri.
Ajo ka bërë të ditur se gjatë orëve të mesnatës importi i energjisë ka arritur nivele shumë të larta, duke nxjerrë në pah kufizimet teknike të sistemit.
“Është import shumë i lartë, 700 megavat në orë ka shkuar në orët e mesnatës, e as nuk ka rrugë transmetuese të mjaftueshme për me pas tërë atë import. Duhet me planifiku më herët importin, nuk mundesh brenda ditës me thënë se po importon kaq, sepse nuk janë planifikuar, për shembull, në suaza vjetore. Kanë pasur dallime në nominime, nominime i bie me tregu më herët se sa ke me importu. KESCO ka dalluar në nominime atë se çka ka thënë me importu dhe çka ka importu në fakt”, tha ajo.
Kritika të ashpra Ymeri ka adresuar edhe ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji, duke e konsideruar përgjegjëse për mungesën e planifikimit.
“ZRRE-ja, së pari, duhet me e bërë planin e energjisë elektrike të sektorit të energjisë, të cilin nuk e ka bërë për vitin 2026. Në fakt, edhe vitin 2025 e ka lënë në mulli deri në dhjetor të 2025-s. Fjala e parë dhe e fundit në sektorin e energjisë elektrike është ZRRE-ja; nëse ZRRE hesht, atëherë gjithçka është anarki, amulli, secili bën gjithçka që mendon se duhet bërë, nuk po them çka do, por çka mendon se duhet bërë – e që nuk është në rregull”, tha Ymeri.
Duke folur për situatën aktuale, ajo ka theksuar se Kosova aktualisht nuk ka asnjë mundësi për eksport të energjisë elektrike.
“Këto ditë nuk ka shanse për eksport, 24 orë është import. Edhe në ditët më të mira ne eksportojmë vetëm gjatë natës, energjia mundet ose me u importu ose me u eksportu, po mendoj mesnatën. Prej orës 10 rëndom ka shkuar import deri në orën 12, sidomos në orën 17:00 dhe orët e mbrëmjes 20:00, 21:00 dhe 22:00. Këto ditë, me çmimin e bursës ndërkombëtare, nëse është mbuluar dita me 1 milion euro, jemi me fat”, shtoi ajo.
Më 13.01.2026, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut paralajmëroi se më 14.01.2026 vendi do të përballej me reduktime të energjisë elektrike, për shkak të diferencës së madhe ndërmjet nominimeve dhe konsumit real.
Ndërsa një ditë më pas, më 14.01.2026, u njoftua se gjendja në sistemin elektroenergjetik është përmirësuar pas rritjes së prodhimit të energjisë elektrike nga KEK-u.









