Republika e Kosovës do të ketë përfaqësimin e saj në një nga ngjarjet më të mëdha të artit bashkëkohor në botë, Bienalen e Venedikut 2026, përmes artistit Brilant Milazimi.
Milazimi do të prezantojë Kosovën në Ekspozitën e 61-të Ndërkombëtare të Artit me veprën “Hard Teeth (Dhëmbë të Fortë)”, një instalacion pikturor i kuruar nga José Esparza Chong Cuy. Kjo vepër do të ekspozohet në Chiesa di Santa Maria del Pianto, një kishë e shekullit XVII në Venecia, e cila do të rihapet për publikun pas dekadash mbylljeje, pikërisht me këtë ekspozitë.
Pavijoni i Republikës së Kosovës në Bienalen e Venedikut komisionohet nga Hana Halilaj, në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Kosovës, ndërsa organizimi bëhet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.
Bienalja e Venedikut 2026 do të mbahet nga 9 maji deri më 22 nëntor 2026. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Pavijoni i Kosovës do të jetë i hapur për vizitorët në hapësirën Chiesa di Santa Maria del Pianto në Venecia.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë ngjarje ndërkombëtare përbën një hap të rëndësishëm për prezantimin dhe promovimin e artit bashkëkohor kosovar, duke i dhënë krijimtarisë vendore një platformë të fuqishme në skenën globale.









