Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë publike raportet e deklarimit financiar të fushatave zgjedhore të subjekteve politike që morën pjesë në zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor.
Sipas legjislacionit në fuqi, subjektet politike që garojnë në zgjedhje janë të obliguara që raportin financiar të fushatës zgjedhore ta dorëzojnë në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP), jo më vonë se 30 ditë kalendarike pas certifikimit të rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja.
Raportet e deklarimit financiar të fushatave janë tashmë të qasshme për publikun në ueb-faqen zyrtare të KQZ-së, në seksionin: Shërbimet e KQZ-së > Shërbimet për Subjekte Politike > Raportet financiare të fushatave zgjedhore, përmes vegzës përkatëse.
Nga KQZ-ja është sqaruar se këto raporte ende nuk i janë nënshtruar procesit të auditimit. Për rrjedhojë, raportet e publikuara konsiderohen të paaudituara dhe mund të pësojnë ndryshime apo saktësime gjatë fazës së auditimit financiar.









