Një ngjarje tragjike ka tronditur Lihtenshtajnin në prag të Krishtlindjeve, ku katër persona, dy burra dhe dy gra, të dyshuar të jenë pjesë e së njëjtës familje, u gjetën të vdekur.
Sipas autoriteteve lokale, rreth orës 10:30 të mëngjesit, trupi i një burri 41-vjeçar u gjet pranë lumit Rin, në anën zvicerane të bregut, afër kryeqytetit Vaduz. Hetimet e mëtejshme çuan policinë në një apartament në Vaduz, ku u zbuluan trupat e një burri 73-vjeçar dhe dy grave, 68 dhe 45 vjeç. Sipas gjetjeve paraprake, tre prej tyre ishin prindërit dhe motra e 41-vjeçarit.
Autoritetet kanë njoftuar se shkaku i vdekjeve ende nuk është përcaktuar dhe hetimet po kryhen nga Departamenti i Hetimeve Penale i Policisë Shtetërore, me angazhimin e një numri të madh oficerësh për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.







