Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim që për zgjedhjet e 28 dhjetorit, qytetarët e Kosovës të regjistruar për të votuar në përfaqësitë diplomatike të mund të përdorin edhe dokumente identifikimi me afat të skaduar. Ky vendim u miratua gjatë mbledhjes së KQZ-së të mërkurën, e zhvilluar me procedurë qarkulluese, dhe synon të parandalojë pengesat që janë evidentuar në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, kur disa votues u paraqitën me dokumente të skaduara.
Sipas vendimit, më 27 dhjetor, qytetarët do të mund të identifikohen me njërin nga tre dokumentet e lëshuara nga Republika e Kosovës: letërnjoftim, pasaportë ose leje vozitjeje, pavarësisht nëse afati i vlefshmërisë ka skaduar.
Përveç kësaj, KQZ-ja ka marrë edhe vendime të tjera për përgatitjet e zgjedhjeve. Midis tyre përfshihet miratimi i pagesës për përdorimin e një objekti privat si Qendër Votimi në komunën e Mitrovicës së Jugut, organizimi i transportit të materialeve zgjedhore nga Qendrat Komunale të Numërimit në Këshillat e Vendvotimeve dhe anasjelltas, si dhe autorizimi i stafit rezervë të Këshillave të Vendvotimit dhe stafit mbështetës për procesin zgjedhor.







