Teatri Kombëtar i Kosovës ka bërë të ditur se do të organizojë një mbledhje komemorative për të nderuar jetën dhe veprën e këngëtarit të ndjerë Shemsi Krasniqi – Shemi.
Sipas njoftimit zyrtar, ceremonia përkujtimore do të mbahet të martën, duke filluar nga ora 13:00, në ambientet e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
“Sot, në ora 13:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, do të mbahet mbledhja komemorative në kujtim të këngëtarit Shemsi Krasniqi – Shemi. Familja, miqtë dhe bashkëpunëtorët janë të ftuar të marrin pjesë për të nderuar kujtimin dhe jetën tij”, thuhet në njoftim.
Shemsi Krasniqi, i njohur gjerësisht si Shemi i grupit legjendar “Ilirët”, ka ndërruar jetë të hënën, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme muzikore.
Karriera e tij muzikore nisi në vitet ’80, si vokalist i grupit “Ilirët”, i themeluar në vitin 1981. Ky grup u bë i njohur me këngë të suksesshme si “Rini thuaja këngës”, “Trupi pa shpirt”, “Xhamadani vija-vija”, si dhe shumë hite të tjera që mbetën pjesë e historisë së muzikës shqiptare. /Gjurmuesi/









