Tregjet ndërkombëtare kanë shënuar një zhvillim historik, pasi çmimi i arit ka arritur nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë. Në tregtimin e bursës të së hënës, më 22 dhjetor 2025, ari u tregtua me vlerën 4.420 dollarë për ons, duke vendosur një rekord të ri.
Ky nivel tejkalon edhe rekordin e mëparshëm të arritur në tetor, kur çmimi kishte kaluar pak mbi 4.380 dollarë për ons (31.1 gramë). Me këtë rritje, ari po mbyll vitin me një rritje vjetore prej afro 70 për qind, duke u renditur ndër investimet më fitimprurëse të vitit dhe duke shënuar rritjen më të madhe që nga viti 1979.
Ekspertët vlerësojnë se kjo rritje e fortë lidhet kryesisht me pasiguritë gjeopolitike dhe ekonomike, luftërat si dhe politikat doganore. Në periudha të tilla, investitorët orientohen drejt asaj që njihet si “porte të sigurta”, si ari dhe argjendi. “Ari prej shekujsh ka një stabilitet të madh tek fuqia blerëse – pavarësisht sistemeve politike, apo krizave monetare dhe ekonomike”, shpjegon York Tetzlaff, shef i shoqatës së degës se shoqatave profesionale të metaleve të çmuara, me seli në Pforzheim.
Në rritjen e çmimit ka ndikuar edhe zhvillimi i normave reale të interesit, si dhe dobësimi i dollarit amerikan. Një faktor tjetër i rëndësishëm është kërkesa e shtuar nga bankat qendrore, të cilat kanë rritur rezervat e tyre të arit. Sipas Bankës Qendrore Evropiane (BQE), gjatë vitit 2024 bankat qendrore kombëtare kanë përbërë mbi 20 për qind të kërkesës globale për ar.
Sipas vlerësimeve të ekspertëve, kërkesa e bankave qendrore pritet të mbetet e qëndrueshme edhe në të ardhmen, për shkak të pasigurisë gjeopolitike dhe politikave tregtare, përfshirë doganat. World Gold Council thekson në një raport për perspektivën e tregut se, në rast të ngadalësimit të rritjes ekonomike apo rënieje të fortë, janë të mundshme fitime të moderuara ose edhe të mëdha për arin. “Në të kundërt nëse një sukses i politikës që po ndjek administrata e presidentit të SHBA-së Donald Trump do të përshpejtonte rritjen ekonomike duke ulur rreziqet gjeopolitike, kjo do të çonte në rritje e intereave dhe fuorcimin e dollarit që do të ndikonte në uljen e çmimit të arit”.









