Një tragjedi trafiku ka ndodhur sot në autostradën Beograd-Nish, ku një çift me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut humbi jetën. Aksidenti ka lënë gjithashtu një pasagjer të tretë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas të dhënave jozyrtare, incidenti ndodhi kur një automjet me targa gjermane doli nga rruga në rrethana ende të paqarta. Supozohet se shoferi humbi kontrollin e veturës, duke goditur një gardh mbrojtës dhe një shenjë trafiku pranë rrugës. Burri dhe gruaja që ndodheshin në makinë vdiqën në vend, ndërsa pasagjeri i tretë u transportua me urgjencë në spital me lëndime të rënda.
Viktimat ishin shtetas të Maqedonisë së Veriut me origjinë shqiptare dhe supozohet se po udhëtonin tranzit nëpër Serbi. Autoritetet policore kanë nisur hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat e aksidentit dhe shkaqet që çuan në këtë tragjedi. /Gjurmuesi/







