Komandanti i misionit të KFOR-it ka zhvilluar në Prishtinë një takim të rëndësishëm me përfaqësuesit e shteteve që kontribuojnë me trupa në këtë mision, duke adresuar çështjet kryesore të sigurisë dhe angazhimet aktuale në Kosovë.
Sipas njoftimit të KFOR-it, Gjeneral Major Özkan Ulutaş priti Ambasadorë, Shefa të Misioneve dhe Përfaqësues të Lartë nga 33 vende kontribuese me trupa. Ky takim përbën angazhimin e tij të parë të përbashkët me këta përfaqësues që nga marrja e detyrës.
Gjatë takimit, Gjeneralmajor Ulutaş prezantoi vlerësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, aktivitetet që KFOR-i është duke i zhvilluar aktualisht, si dhe prioritetet kryesore për periudhën e ardhshme.
Ai rikonfirmoi përkushtimin e plotë të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt dhe stabil për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë.
Në fund, Gjeneralmajor Ulutaş shprehu mirënjohjen e tij të sinqertë ndaj të gjitha vendeve kontribuese me trupa për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm në kuadër të misionit të KFOR-it.







