Vendimi i Bashkimit Evropian për t’i dhënë fund masave ndëshkuese ndaj Kosovës deri në fund të muajit të ardhshëm është pritur pozitivisht në vend. Sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, ky hap konsiderohet i rëndësishëm si për institucionet publike ashtu edhe për sektorin privat, ndonëse theksohet se masat kanë qenë të padrejta që nga momenti i vendosjes së tyre.
Pas më shumë se dy vjetësh nën masa ndëshkuese, Kosovës pritet t’i lirohen mbi 200 milionë euro ndihmë financiare nga Bashkimi Evropian. Masat ishin vendosur në verën e vitit 2023, pas tensioneve në komunat veriore, ndërsa vendimi për heqjen e tyre erdhi pas transferimit paqësor të pushtetit në këto komuna.
Sipas ekspertëve, përfitimi nga ky vendim duhet të jetë i dyanshëm, duke përfshirë sektorin publik dhe atë privat. Ata theksojnë se vetë ekzistenca e masave ka qenë një sinjal negativ për Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Ato masa qysh kur janë vendos në korrik të vitit 2023 kanë qenë absolutisht të pabarabarta në krahasim me atë se çfarë ka ndodh në rajonin tonë dhe fatkeqësisht kur janë vendos, tensionet kanë qenë çfarë kanë qenë. Por edhe më vonë çuditërisht kur patëm një agresion nga Serbia në territorin e Kosovës dhe ato edhe më tutje mbeten, Serbia nuk u ndëshku”, tha Emrush Ujkani, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Edhe analisti Dorajet Imeri e konsideron heqjen e masave si një zhvillim të rëndësishëm politik, duke theksuar se pavarësisht padrejtësisë së tyre, Kosova duhet të nxjerrë mësime nga kjo periudhë.
“Heqja e masave nga BE konsiderohet një prej ngjarjeve më të rëndësishme në zhvillimet politike dhe në procesin e integrimit të Kosovës drejt kësaj strukture. BE ka goditur palën që ka qenë e dëmtuar. Kosova duhet të marrë mësimet e duhura në procesin e saj drejt integrimit, të vijoj me strategji, efikasitet, koordinim të plotë me shtetet e BE-së për të çuar përpara agjendat e veta”, tha ai.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se për Kosovën janë planifikuar gjithsej 216 milionë euro ndihmë financiare, prej të cilave 205 milionë euro synohet të ndahen që në fillim të vitit 2026. /Gjurmuesi/









