Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë për krime lufte, që lidhen me ngjarje të rënda të ndodhura gjatë vitit 1999 në territorin e Kosovës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri R.M. dyshohet se më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë.
Aktakuza e ngarkon R.M. edhe me pjesëmarrje në shkatërrimin e pronës, dëbim masiv të popullsisë civile dhe plaçkitjen e pasurisë së rreth 1.000 qytetarëve, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.
I pandehuri ndodhet aktualisht nën masën e paraburgimit deri në një vendim tjetër të gjykatës, ndërsa lënda i është dërguar për trajtim Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.







