Një grup prej 15 zyrtarësh të Shërbimit Korrektues të Kosovës ka përfunduar me sukses një trajnim profesional në Danimarkë, duke u certifikuar pas gjashtë muajsh përgatitje intensive në sistemin korrektues danez.
Ceremonia e certifikimit u mbajt në prani të zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të ShKK-së, Ridvan Hoti, kryeinspektorit Muamer Bikliqi, ministrit të Drejtësisë së Danimarkës, Peter Hummelgaard, drejtoreshës së Shërbimit Danez të Burgjeve, Ina Eliasen, si dhe përfaqësuesve institucionalë nga të dy shtetet.
Gjatë fjalimit të tij, Hoti theksoi se kjo ceremoni përfaqëson suksesin e një grupi profesionistësh korrektues nga Kosova, të cilët me përkushtim dhe seriozitet kanë përmbyllur një trajnim të avancuar jashtë vendit.
Sipas njoftimit për media, ai e cilësoi këtë përvojë si një mundësi të rëndësishme profesionale dhe njerëzore, e ndërtuar mbi parimet e respektit, përgjegjësisë dhe profesionalizmit.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm vlerësoi gjithashtu marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për akomodimin e të burgosurve danezë në Burgun e Gjilanit, duke e quajtur atë një partneritet unik dhe të besueshëm, që dëshmon besimin e Danimarkës në kapacitetet e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe në menaxhimin e sistemeve moderne korrektuese.
Në njoftim thuhet se Hoti shprehu mirënjohje ndaj autoriteteve daneze, trajnerëve dhe mentorëve për profesionalizmin, mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se kjo ceremoni nuk përbën fundin e rrugëtimit, por fillimin e një kapitulli të ri që kërkon standarde të larta profesionale, etikë dhe bashkëpunim të qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve.
Nga ana e tij, ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Peter Hummelgaard, uroi zyrtarët korrektues kosovarë për përfundimin e suksesshëm të trajnimit dhe nënvizoi rëndësinë e këtij hapi në kuadër të zbatimit të marrëveshjes dypalëshe.
Ndërkaq, drejtoresha e Shërbimit Danez të Burgjeve, Ina Eliasen, theksoi se trajnimi i zyrtarëve korrektues nga Kosova është thelbësor për përgatitjet para vënies në funksion të burgut. Ajo vlerësoi suksesin e grupit të parë, duke përfshirë trajnimin në kulturën daneze dhe menaxhimin e burgjeve, si dhe falënderoi zyrtarët nga të dy vendet për bashkëpunimin dhe përkushtimin e treguar gjatë gjithë procesit.
“Trajnimi mbi sistemin korrektues danez zgjati gjashtë muaj, ku zyrtarët tanë korrektues treguan përkushtim, disiplinë dhe profesionalizëm të lartë në çdo fazë. Falë angazhimit të tyre, ata arritën të zotërojnë njohuri dhe praktika të avancuara që forcojnë kapacitetet e Shërbimit Korrektues të Kosovës”, thuhet në njoftim. /Gjurmuesi/







