Kosova ka arritur një tjetër sukses të rëndësishëm në sport, duke u pranuar si anëtare e 154-të e Federatës Ndërkombëtare të Golfit. Ky hap shënon një moment historik për zhvillimin dhe njohjen e golfit në vendin tonë.
Federata e Golfit e Kosovës përmes një njoftimi zyrtar tha se ky anëtarësim nuk përfaqëson vetëm një status formal, por është dëshmi e një rrugëtimi të gjatë dhe të përkushtuar. “Është rezultat i më shumë se një dekade pune të palodhshme, qindra takimeve ndërkombëtare, mijëra orëve në terren, ndërtimit nga themelet të një strukture kombëtare të golfit dhe përkushtimit të çdo individi që besoi se Kosova mund të jetë pjesë e familjes globale të këtij sporti fisnik”, thuhet në njoftim.
Federata përmend rolin kyç të Dino Asanajt, shqiptaro-amerikanit që themeloi golfin në Kosovë. “Një vend të veçantë në këtë histori e zë shqiptaro-amerikani Dino Asanaj, vizionari që e themeloi golfin në Kosovë dhe i dha jetë këtij sporti në kohë kur pak kush e besonte. Kontributi i tij mbetet themeli mbi të cilin u ndërtua e gjithë struktura e sotme”, theksojnë nga federata.
Po ashtu, Federata ka vlerësuar rolin e mërgatës shqiptare në zhvillimin e golfit. “Me përkushtimin, mbështetjen financiare, rrjetëzimin ndërkombëtar dhe përfaqësimin dinjitoz të Kosovës, mërgata ka kontribuar thellësisht në ngritjen e golfit në nivelin ku jemi sot. Falë tyre, Kosova ka qenë e pranishme në tryezat dhe institucionet ku shpesh nuk ka qenë e lehtë të depërtohet. Ky sukses është edhe i tyre — i secilit shqiptar që nga larg ka ndihmuar, ka besuar dhe ka kontribuar”, thuhet më tej.
Anëtarësimi i Kosovës në Federatën Ndërkombëtare të Golfit hap mundësi të reja për vendin në arenën ndërkombëtare. “Sot Kosova është një vend që përfaqëson golfin në arenën ndërkombëtare. Ky është fillimi i një kapitulli të ri: pjesëmarrja në garat botërore, mundësia e përfshirjes në ciklet olimpike, forcimi i infrastrukturës vendore, zhvillimi i talenteve të rinj dhe afirmimi i Kosovës si një destinacion serioz sportiv”, përfundon njoftimi. /Gjurmuesi/








