Shkretëtira e Saharasë, e njohur për klimën e saj ekstreme dhe peizazhet spektakolare, është më shumë se një tokë e thatë. Ajo është shtëpi për një biodiversitet të pasur, duke përfshirë mbi 100 lloje zvarranikësh, 70 gjitarë dhe 90 lloje shpendësh, të përshtatura për jetesë në këto kushte sfiduese.
Shkretëtira mbulon një sipërfaqe prej rreth 8.600.000 kilometra katrorë në Afrikën Veriore, duke përfshirë pjesë të Libisë, Nigerit, Sudanit, Algjerisë, Malit, Marokut, Çadit, Egjiptit, Mauritanisë dhe Tunizisë. Gjatë ditës, temperaturat arrijnë nivele jashtëzakonisht të larta, ndërsa në natë bien ndjeshëm. Peizazhi i Saharës përfshin duna të mëdha, detet e rërës, pllajat shkëmbore dhe oaze të gjelbra.
Megjithë klimën e ashpër, Sahara nuk ka qenë gjithmonë një shkretëtirë. Studiuesit besojnë se miliona vite më parë, zona ishte e mbuluar nga Deti i Madh i Tetisit. Tkurrja e këtij deti solli formimin e shkretëtirës, duke lënë pas Detin e Zi, Detin Mesdhe dhe Detin Kaspik. Humbja e këtij trupi ujor shkaktoi uljen graduale të reshjeve. Rreth 6 mijë vite më parë, Sahara ende kishte mjaft reshje për të mbështetur vegjetacionin.
Fosilet e zbuluara aty tregojnë historinë e një toke dikur të mbushur me krijesa mahnitëse, përfshirë një dinosaurus 10 metra të gjatë, si dhe mbetje të kafshëve detare si mustakë dhe tilapia, duke ofruar një pamje të pasur historike mbi jetën në këtë rajon.
Si mbijetojnë njerëzit në Shkretëtirën e Saharasë?
Temperaturat ekstreme, deri në 50 gradë Celsius gjatë ditës dhe ndonjëherë nën zero gjatë natës dimërore, e bëjnë jetesën sfiduese. Banorët që jetojnë në këto zona veshin rroba të gjera për të parandaluar avullimin e djersës dhe humbjen e ujit, si dhe mbulesa për fytyrën dhe kokën për të mbrojtur nga erërat e pluhurosura. Shumë komunitete jetojnë pranë oazeve dhe fiset nomade lëvizin sipas stinëve për të siguruar ujë dhe ushqim.
Çfarë kafshësh dhe bimësh mund të gjenden në Shkretëtirën e Saharasë?
Sahara është e pasur me flora dhe faunë që janë përshtatur për të mbijetuar nxehtësinë dhe thatësirën. Një nga bimët më të njohura është palma e hurmës, e cila rritet deri në 23 metra dhe prodhon fruta thelbësore për dietën e banorëve. Të tjera bimë të zakonshme përfshijnë ullirin, selvinë sahariane, palmën doum, tamariskën dhe kungullin e shkretëtirës.
Kafshët e Saharasë janë po aq të ndryshme sa bimët e saj. Përveç devëve, aty jetojnë akrepi, krokodili i shkretëtirës, zogthi afrikan dhe qeni i egër afrikan. Megjithatë, disa popullata të kafshëve dhe bimëve përballen me rrezikun e zhdukjes.
Pavarësisht sfidave të jetesës në këtë mjedis, miliona njerëz e quajnë Saharën shtëpi. Ata kanë zhvilluar mënyra të veçanta për të përballuar temperaturat ekstreme, ndërsa flora dhe fauna e rajonit ka evoluar për të mbijetuar dhe lulëzuar në një nga mjediset më të vështira në botë. /Gjurmuesi/









