Një person është arrestuar nga autoritetet për dyshimin se ka ushtruar veprimtari të paligjshme të fajdesë, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga gjendja e vështirë financiare e viktimës. Policia njofton se i dyshuari ka dhënë borxh me kushte të jashtëligjshme, duke ngarkuar viktimën me kamata të paarsyeshme.
Arrestimi u realizua në flagrancë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me prokurorinë në Ferizaj.
Pas intervistimit dhe veprimeve të tjera procedurale, prokurori vendosi ndalimin e të dyshuarit, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit.
“Në lidhje me rastin janë ndërmarrë veprimet procedurale ndaj të dyshuarit, i cili pas intervistimit me aktvendim të prokurorit është ndaluar”, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë. /Gjurmuesi/







