Kandidatët e Listës Serbe, partisë kryesore të komunitetit serb në Kosovë e nën kontrollin e Beogradit, nuk janë certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Vendimi erdhi pas votimit të dy anëtarëve të LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, të cilët votuan kundër certifikimit, ndërsa gjashtë të tjerë abstenuan.
Megjithatë, gjatë mbledhjes, Besnik Buzhala, Drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, rekomandoi certifikimin e kandidatëve të kësaj partie. Ai argumentoi se asnjëri nga kandidatët nuk bie ndesh me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. “Lidhur me këtë, Zyra i rekomandon KQZ-së që të certifikojë listën me 33 kandidatë të subjektit politik, Lista Serbe”, tha Buzhala.
Pas tij, Sami Kurteshi nga LVV shprehu kundërshtimin e tij ndaj certifikimit: “Për të gjitha ato që janë sqaruar edhe me herët, unë, besoj që edhe kolegu im, jam kundër certifikimit të Listës Serbe, bashkë me kandidatët e tyre”.
Në përfundim, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, konstatoi se lista e kandidatëve për deputetë nga Lista Serbe nuk certifikohet. Ndërkaq, të gjithë kandidatët e tjerë për deputetë nga 23 subjekte politike u certifikuan, përfshirë 17 parti, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe një kandidat të pavarur. Numri total i kandidatëve të certifikuar është 1,146.
Gjithashtu, në këtë mbledhje, KQZ certifikoi vetëm 42 nga 43 kandidatët e subjektit politik KOALICIJA VAKAT nga komuniteti boshnjak. /Gjurmuesi/







