Agim Nuredini, një 56-vjeçar me banim në Wels të Austrisë, është raportuar i zhdukur për disa ditë, duke shqetësuar familjen e tij.
Sipas vajzës së tij, më 30 nëntor babai kishte dalë nga shtëpia me veturën e tij Opel Mokka, ngjyrë të zezë, por pa marrë me vete telefonin. Pas largimit të tij, familja ka njoftuar autoritetet për të kërkuar ndihmë.
Së fundmi, policia austriake ka njoftuar se automjeti është gjetur të dielën në Gjermani, konkretisht në një fushë në komunën e Hauzenberg, rrethina e Passaut. Vetura ishte e mbyllur, por në brendësi nuk kishte asnjë shenjë të shqiptarit.
Autoritetet dyshojnë se në këtë rast mund të ketë ndodhur një aksident. Organet e rendit kanë nisur kërkime intensive në zonën përreth, duke përdorur edhe helikopterë, por deri tani kërkimi nuk ka dhënë rezultat. /Gjurmuesi/









