Ish-ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian gjatë administratës së Donald Trump, Gordon Sondland, ka komentuar vizionin e ish-presidentit amerikan për rolin e Evropës në raportet me Rusinë në të ardhmen.
Në një intervistë për programin “Today” të BBC Radio 4, Sondland tha se Trump dëshiron që Evropa të marrë iniciativën kryesore në këtë çështje, ndërsa SHBA-të mund ta mbështesin, por nuk duhet të jenë ato që udhëheqin drejtpërdrejt.
“Ai e kupton se mënyra tradicionale e bashkëpunimit me Rusinë gjatë 30 viteve të fundit ka vendosur Shtetet e Bashkuara në frontin e konfliktit, duke u përpjekur të imponojnë zgjidhje dhe kërcënime ndaj Putinit për ta bërë atë të tërhiqet”, shpjegoi Sondland.
Sipas tij, Trump synon të shmangë këtë qasje ku SHBA-të do të ishin në linjën e parë të konfliktit, ndërsa Evropa vetëm do të vëzhgonte. “Kjo nuk është ajo që Trump dëshiron këtë herë”, shtoi ish-ambasadori. /Gjurmuesi/







