Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë publike listën e kandidatëve me të cilën do të garojë në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025. Lista është finalizuar dhe përfshin gjithsej 110 emra, ku në krye qëndron Ramush Haradinaj.
Përmes një postimi, Haradinaj ka shpjeguar arsyetimin dhe filozofinë që qëndron pas formësimit të kësaj liste.
“Kam nderin t’ju konfirmoj kandidaturat për deputet për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Kosova sot ka nevojë për njerëz që i qëndrojnë vendit në krah, në çdo rrethanë. Ashtu siç edhe qytetari i Kosovës ka nevojë për përfaqësues të guximshëm dhe të pakompromis në mbrojtje të interesit publik”, shkruan Haradinaj në Facebook.
Ai ka bërë të ditur edhe mënyrën e renditjes së kandidatëve, duke nënvizuar kriteret e aplikuara nga struktura vendimmarrëse e partisë.
“Sa i përket radhitjes në listë, në bazë të vendimit të Këshillit Drejtues, 1/3 të kandidatëve u janë vendosur numrat duke pasur si kriter votën nga zgjedhjet e kaluara parlamentare, ndërsa për 2/3 te kandidatëve në listë është tërhequr shorti”. /Gjurmuesi/








