Komunat veriore të Kosovës morën sot drejtim të ri, teksa kryetarët e rinj morën mandatin e tyre dhe nisën zyrtarisht funksionimin në detyrë.
Nga ora 11:00, u shënua fillimi i mandatave në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Në Zveçan, Dragisha Miloviq u betua dhe premtoi bashkëpunim me të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe lokale që veprojnë në Kosovë, përfshirë KFOR, EULEX, OSBE dhe MAPL. Ai theksoi se qeverisja lokale duhet të fokusohet te qytetarët dhe çdo vizitor duhet të mirëpritet: “Do të bashkëpunoj edhe me përfaqësuesit e misioneve me KFOR, me EULEX, me OSBE, me të gjitha institucionet në Prishtinë, MAPL dhe juve mediave. Duhet të kuptojmë që qeverisja lokale duhet të jetë e fokusuar te qytetarët. Kushdo që vjen këtu të mirëpritet… për të mirë të qytetarëve tanë”.
Në Mitrovicën e Veriut, kryetari i ri Milan Radojeviq mori mandatin së bashku me asamblistët e Kuvendit Komunal, megjithëse seanca u vonua pak për shkak të vendosjes së flamurit të Serbisë nga një asamblist, i cili u hoq përpara se procedura të vazhdonte.
Në Zubin Potok, kryetari Millosh Peroviq u betua dhe premtoi të kryejë detyrën me ndershmëri dhe besnikëri ndaj komunës dhe qytetarëve: “Unë si kryetar Millosh Peroviq deklaroj se do të kryej detyrat e mia dhe ushtroj kompetencat e mia me nder dhe besnikëri në mënyrë që të krijoj kushte për jetë në Komunën e Zubin Potokut të sigurt dhe të qetë. Si kryetar falënderoj të gjithë, na presin plane të vazhdueshme të komunës”.
Edhe Leposaviqi mori udhëheqjen e re nga kryetari Zoran Tadiq, ku dominuan flamuri i Kosovës dhe fotografia e presidentes Vjosa Osmani.
Në të njëjtën kohë, zëri i komunitetit shqiptar u dëgjua në seancat inaguruese. Asamblistët shqiptarë në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, Emir Azemi dhe Aida Doli, kërkuan nga kolegët serbë që të mos politizojnë mbledhjen solemne dhe theksuan se qëllimi i tyre ishte vetëm konstituimi i Kuvendit dhe betimi i kryetarit të ri, pa frikë dhe me angazhim për qytetarët. /Gjurmuesi/







