Një studim i ri gjithëpërfshirës ka zbuluar se truri i njeriut nuk zhvillohet në mënyrë lineare, por kalon përmes pesë fazave të qarta gjatë jetës, me ndryshime të forta në disa moshë–kyçe: 9, 32, 66 dhe 83 vjeç. Këto zbulime, të cilat bazohen në mijëra skanime të realizuara tek persona deri në moshën 90 vjeç, hedhin dritë mbi mënyrën se si evoluojnë lidhjet neurale dhe pse rreziqet për çrregullime mendore apo demencë ndryshojnë me kalimin e viteve.
Sipas studimit të Universitetit të Kembrixhit, truri mbetet në “fazën e adoleshencës” deri në fillim të të tridhjetave, periudhë e konsideruar edhe kulmi i efikasitetit të tij. Studiuesit theksojnë se truri nuk ndjek një model të qetë zhvillimi, por riformëson vazhdimisht lidhjet në varësi të njohurive dhe përvojave të reja.
Pesë fazat e identifikuara janë këto:
Fëmijëria – nga lindja deri në 9 vjeç
Në këtë periudhë truri rritet me shpejtësi, por gjithashtu eliminon shumë sinapse të tepërta. Efikasiteti i rrjetit nervor është i ulët – funksionimi është i shpërndarë, jo i drejtpërdrejtë.
Adoleshenca – 9 deri në 32 vjeç
Rreth moshës 9-vjeçare nis një rritje e fortë e efikasitetit të trurit, duke shënuar ndryshimin më të madh mes fazave. Kjo është periudha me rrezikun më të lartë për zhvillimin e çrregullimeve të shëndetit mendor. Truri arrin kulmin në fillim të të tridhjetave.
Mosha e rritur – 32 deri në 66 vjeç
Pas kësaj, vjen një periudhë e gjatë stabiliteti. Ndryshimet janë të ngadalta dhe kjo përkon me qëndrueshmërinë e inteligjencës dhe personalitetit që vërehet në këtë moshë.
Plakja e hershme – 66 deri në 83 vjeç
Kjo fazë nuk sjell një rënie të menjëhershme, por ndryshime në mënyrën se si koordinohen zonat e trurit. Rrjetet fillojnë të punojnë më shumë të fragmentuara. Kjo është edhe periudha kur shfaqen më shpesh probleme si demenca apo hipertensioni.
Plakja e vonë – nga 83 vjeç e lart
Ndryshimet e plakjes së hershme bëhen edhe më të theksuara, ndonëse të dhënat për këtë grupmoshë janë më të pakta. Efektet në tru janë të lidhura me moshën dhe ndryshimet natyrore që vijnë në këtë etapë të jetës.
Autorja e studimit, Alexa Mousley, ka theksuar se ishte befasuese sa saktë përputhen këto faza me momente kyçe të jetës së njeriut – nga puberteti, tek ndryshimet e mëdha sociale të të 30-ave e deri tek sfidat shëndetësore të moshës së shtyrë. /Gjurmuesi/









