Xhirimet e filmit të ri artistik “Dua” kanë përfunduar zyrtarisht, duke shënuar mbylljen e një faze intensive pune për ekipin e produksionit. Projekti tashmë hyn në fazën pasuese të përgatitjeve për premierën dhe prezantimet ndërkombëtare.
Filmi me metrazh të gjatë, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, është realizuar si prodhim i Ikonë Studio (Kosovë) nën kujdesin e producentëve Valon Bajgora dhe Yll Uka. Projekti është bashkëprodhuar edhe nga Britta Rindelaub & Thomas Reichlin të Alva Film (Zvicër) dhe Amaury Ovise nga Kazak Productions (Francë).
Xhirimet kanë zgjatur gjithsej 35 ditë, nga data 4 tetor deri më 19 nëntor 2025, periudhë gjatë së cilës është ndërtuar një histori e fortë dhe emocionale që synon të lërë gjurmë.
Në kastën kryesore marrin pjesë aktorët: Pinea Sylejmani, Yllka Gashi, Kushtrim Hoxha, Kaona Sylejmani, Andi Bajgora, Vlera Bilalli dhe Fiona Abdullahu. Performancat e tyre pritet të sjellin një film me peshë të veçantë për kinematografinë shqiptare dhe kosovare.
“Dua” synon rrugëtimin në festivale ndërkombëtare dhe shfaqjen në kinema, duke dëshmuar edhe një herë potencialin dhe talentin e industrisë së filmit në rajon. /Gjurmuesi/









