Prindërit po drejtohen gjithnjë e më shumë te inteligjenca artificiale ChatGPT e OpenAI për këshilla rreth rritjes së fëmijëve, por ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i pakontrolluar mund të ketë pasoja të paparashikueshme. Shumë prindër e përdorin këtë teknologji jo vetëm për këshilla mbi sjelljen apo shëndetin e fëmijëve, por edhe për argëtimin e tyre, duke iu lexuar histori para gjumit ose duke komunikuar për orë të tëra.
Megjithatë, ekspertët e shëndetit mendor e shohin këtë zhvendosje të përgjegjësisë prindërore te bota virtuale si shqetësuese. ChatGPT mund të intensifikojë iluzionet dhe të shkaktojë shkëputje nga realiteti, një fenomen që është lidhur me raste të vetëvrasjeve, përfshirë edhe tek adoleshentët. Mosha e fëmijëve që ekspozohen ndaj këtyre teknologjive po bie gjithashtu: rreth 30% e prindërve me fëmijë në moshë shkollore përdorën ChatGPT në vitin 2023, dhe ky numër pritet të rritet.
Michael Glazier, mjek pediatër nga Florida, paralajmëron se informacioni i dhënë nga ChatGPT duhet të merret me kujdes dhe përdoruesit duhet të mbajnë një qëndrim kritik ndaj tij, për shkak të prirjes së teknologjisë për të prodhuar përgjigje të pasakta ose të gënjeshtra. Ai rekomandon që ChatGPT të përdoret vetëm si një pikënisje dhe çdo vendim i rëndësishëm të konfirmohet nga një ekspert i licencuar mjekësor.
Ky fenomen nënvizon nevojën për edukim mbi përdorimin e inteligjencës artificiale dhe mbikëqyrje të rreptë kur bëhet fjalë për fëmijët, për të shmangur keqinformimin dhe pasojat negative të mundshme në zhvillimin e tyre. /Gjurmuesi/








