Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kryer bastisje në tre lokacione në fshatin Ratkoc të Rahovecit, gjatë të cilave është zbuluar një arsenal i konsiderueshëm armësh.
Tre persona janë arrestuar në lidhje me këtë rast. Tek i dyshuari me inicialet P.H. janë gjetur një mitraloz, dy pushkë automatike (një AK-47 dhe një Sharc), një pistoletë me gaz dhe 608 fishekë. Ndërsa tek Xh.H. janë kapur një pushkë gjahu, dy pushkë automatike M-47 dhe M-48, si dhe 362 fishekë të ndryshëm. Tek i dyshuari i tretë, A.M., janë sekuestruar dy pistoleta me gaz pa municion.
Pas këtyre veprimeve, të tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit. Prokuroria njofton se brenda afatit ligjor do të kërkohet caktimi i masës së paraburgimit, ndërsa ndaj tyre është inicuar procedurë për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”. /Gjurmuesi/







