Autoritetet në Gjermani kanë vendosur të anulojnë tregun tradicional të Krishtlindjeve në qytetin Magdeburg, për shkak të shqetësimeve për sigurinë publike dhe rrezikun e mundshëm nga sulmet terroriste. Ky vendim ka shkaktuar debat të ashpër mes autoriteteve të shtetit federal të Saksonisë-Anhalt dhe bashkisë së qytetit.
Sipas raportimeve, ndalimi është marrë nga autoritetet e sigurisë së Landit, të cilët kanë vlerësuar se ngjarja paraqet rrezik potencial për sigurinë e qytetarëve. Bashkia e Magdeburgut, megjithatë, kishte planifikuar që tregu të mbahej si çdo vit tjetër, duke e cilësuar këtë ndalim si të panevojshëm dhe të tepruar.
Kujtojmë se një vit më parë qyteti ishte tronditur nga një sulm tragjik, kur një shtetas nga Arabia Saudite drejtoi automjetin e tij mbi një turmë njerëzish, duke shkaktuar vdekjen e gjashtë personave, përfshirë një fëmijë.
Kryebashkiakja Simone Borris ka reaguar ashpër ndaj vendimit, duke theksuar se mbrojtja nga terrorizmi është detyrë e shtetit dhe e policisë, jo e komunave. Ajo paralajmëroi se me këtë logjikë, çdo festë publike në Gjermani mund të konsiderohet rrezik.
“Nëse organizimi i një tregu të Krishtlindjeve shihet si krijim i një objektivi të mundshëm për sulm, atëherë në thelb po i shpallim të gjitha aktivitetet publike si kërcënime të sigurisë,” tha Borris, duke i bërë thirrje autoriteteve që të gjejnë zgjidhje për rritjen e masave mbrojtëse, e jo për anulimin e ngjarjeve tradicionale. /Gjurmuesi/







