Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kërkuar që dyshimet për manipulim të fletëvotimeve në Komunën e Mitrovicës së Jugut të hetohen në mënyrë të plotë dhe profesionale, përmes një hetimi penal që do të sqarojë të gjitha shqetësimet e ngritura në publik.
IKD-ja thekson se kjo kërkesë nuk nënkupton paragjykim mbi rezultatin e zgjedhjeve apo fajësinë e ndonjë pale, por është një përgjigje ndaj nevojës për transparencë dhe besueshmëri në procesin zgjedhor. “Demokracia në Kosovë ka arritur një nivel të avancuar për shkak të organizimit të zgjedhjeve të rregullta dhe transparente. Megjithatë, dyshimet e ngritura cenojnë besimin e qytetarëve dhe kërkojnë një hetim të qartë, që nuk domosdoshmërisht nënkupton ekzistencën e përgjegjësisë penale,” thekson IKD në njoftimin e saj.
Për të siguruar efikasitet dhe profesionalizëm në trajtimin e këtij rasti, IKD rekomandon që Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit t’i jepet juridiksioni për këtë hetim ose, sipas nevojës, ta transferojë në një prokurori tjetër. Qëllimi është që hetimi të zhvillohet në mënyrë të plotë dhe rezultatet të bëhen publike në kohë, duke ruajtur besimin e qytetarëve në proceset zgjedhore.
IKD paralajmëron se nëse këto dyshime mbeten të patrajtuara, Kosova mund të pësojë regres në organizimin e zgjedhjeve të rregullta, duke rrezikuar integritetin e demokracisë dhe humbjen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve zgjedhore. /Gjurmuesi/







