Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka urdhëruar rifillimin e numërimit të votave në këtë komunë, pas raportimeve për parregullsi gjatë procesit zgjedhor. Vendimi erdhi pas shqetësimeve për fletëvotime me numër serik të ndryshëm, si dhe për bartje të tyre nga një klasë ose qendër votimi në tjetrën, çka ngjalli dyshime për manipulim.
Procesi u ndërpre përkohësisht derisa prokuroria të marrë përgjigje nga shtypshkronja që ka shtypur fletëvotimet, për të konfirmuar nëse bëhet fjalë për gabim teknik apo manipulim të qëllimshëm. Gjatë ndërprerjes, autoritetet, së bashku me policinë, kanë kryer inspektime në Qendrën e Numërimit për të verifikuar situatën.
Ndërkohë, partitë politike kanë kërkuar hetim të pavarur dhe kanë theksuar rëndësinë e respektimit të ligjit dhe integritetit të procesit zgjedhor. Rihapja e numërimit synon të garantojë një proces të drejtë dhe të besueshëm, ndërsa qytetarët presin rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Mitrovicë. /Gjurmuesi/







