Herman Bernstein (1876–1935) ishte ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, nga shkurti i vitit 1930 deri në shtator të vitit 1933 – një periudhë e shënuar nga përpjekjet e Shqipërisë nën mbretin Zog për të ruajtur pavarësinë mes Italisë dhe Jugosllavisë. Bernstein lindi në Nojshtat-Shirvint – sot Kudirkos Naumiestis, në Lituani – në një familje hebreje, dhe emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1893. Atje punoi si gazetar, shkrimtar dhe përkthyes (i letërsisë ruse), duke kontribuar në The New York Evening Post, The Nation dhe The Independent. Ishte redaktor i The Jewish Tribune dhe Jewish Daily Bulletin dhe udhëtoi në Evropë si korrespondent i The New York Times ku dokumentoi gjendjen e hebrenjve në Evropën Lindore dhe mbuloi Revolucionin Rus për New York Herald. Bernstein u takua me Herbert Hooverin në Konferencën e Paqes në Paris më 1919 dhe e mbështeti atë në kandidaturën për president në vitin 1928. Në këmbim, Hooveri e emëroi ambasador në Shqipëri. Bernstein vdiq në Shefild të Masaçusetsit. Arkivat e tij, përfshirë disa shkrime mbi Shqipërinë, ruhen në Institutin YIVO për Kërkime Hebraike në Nju-Jork. Herman Bernstein kishte marrëdhënie të mira me mbretin Zog. Në artikullin e mëposhtëm, të botuar në New York Times, ai hodhi dritë mbi pozitën e vështirë të Shqipërisë në përpjekjet për të balancuar marrëdhëniet mes Italisë, Jugosllavisë dhe Greqisë.
Çështjet e saj në krizë, Shqipëria i ndjek me kujdes në lëvizjet e ndryshme të blloqeve që udhëhiqen nga Franca dhe Italia.
Shqipëria konsiderohet si një nga zonat më serioze të rrezikut në Evropë. Një luftë e re mund të fillojë atje nëse interesat politike dhe ushtarake të kombeve të tjera, për Shqipërinë, vazhdojnë të bien ndesh me njëri-tjetrin. Për shkak të pozitës së saj gjeografike, ky vend i vogël mban çelësin e Adriatikut dhe ka qenë mollë sherri mes kombeve të ndryshme për shekuj me radhë.
Nga pikëpamja strategjike, vija bregdetare e saj do të kishte vlerë të paçmuar për Italinë – në rast lufte. Italia prej disa vitesh ka hedhur shuma të mëdha në Shqipëri, për të ndihmuar në organizimin e ushtrisë, për të ndërtuar rrugë, ura dhe fortifikime. Në Ballkan besohet se përpjekja e Italisë për të militarizuar Shqipërinë është pjesë e programit të ambicies imperialiste – që i atribuohet Mussolinit – për të depërtuar në Ballkan, për të rimarrë rrugën e famshme romake Via Egnatia që kalon nëpër Shqipëri dhe Jugosllavi drejt Selanikut dhe Stambollit.
Çdo lëvizje e Italisë në Shqipëri vëzhgohet me dyshim dhe shqetësim nga Franca, nga Antanta e Vogël dhe veçanërisht nga Jugosllavia. Gjatë disa viteve të fundit, ndihma financiare dhe udhëzimi ushtarak i ofruar nga Italia ndaj Shqipërisë, kanë shërbyer për të shtuar ndjenjën e nervozizmit në Ballkan dhe kanë bërë që Jugosllavia të ndërmarrë përgatitje të ethshme ushtarake për të luftuar depërtimin e frikshëm italian në Ballkan.
Një ushtar i fuqive
Shqipëria e vogël është bërë kështu një ushtar [figurë shahu] në lojën e dy blloqeve në konflikt në diplomacinë evropiane – njëri i udhëhequr nga Italia dhe tjetri nga Franca. Ajo ka përfituar deri-diku nga ky konflikt interesash dhe ka arritur të forcojë unitetin kombëtar, fillimisht me ndihmën e Jugosllavisë dhe më pas me ndihmën e Italisë. Cilado qofshin motivet e fshehta të këtyre kombeve, Shqipëria ka ruajtur me zgjuarsi dhe guxim pavarësinë e saj – edhe pse është detyruar të bëjë shumë sakrifica, lëshime dhe kompromise në këmbim të ndihmës materiale që ka marrë që nga përfundimi i luftës [së Parë Botërore]. Nëse rrugët dhe urat e ndërtuara me ndihmën e parave italiane ishin apo jo të destinuara për planet ushtarake të Italisë, ato tashmë i shërbejnë qëllimeve të dobishme ekonomike të Shqipërisë, duke vendosur komunikime normale mes pjesëve të ndryshme të këtij vendi të vogël malor.









