Shefi ekzekutiv i Meta Platforms, Mark Zuckerberg, do të paraqitet këtë të mërkurë para një gjykate në Kaliforni, në një proces që po shqyrton nëse veçoritë e platformave të kompanisë së tij kanë dëmtuar fëmijët dhe kanë nxitur varësi nga rrjetet sociale.
Ai do të dëshmojë përballë jurisë dhe prindërve që fajësojnë platformat sociale për humbjen e fëmijëve të tyre. Më herët, gjatë një seance në Kongresin amerikan, Zuckerberg kishte kërkuar falje ndaj familjeve që besojnë se jeta e tyre u ndikua rëndë nga rrjetet sociale.
Në qendër të gjyqit është padia e një 20-vjeçareje, e identifikuar me inicialet KGM, e cila pretendon se përdorimi i hershëm i platformave të Google dhe Metas krijoi varësi dhe përkeqësoi mendimet depresive dhe vetëvrasëse. Fillimisht, padia përfshinte Meta, Google (përmes YouTube), ByteDance (pronare e TikTokut) dhe Snap Inc., kompania mëmë e Snapchatit, ndërsa TikToku dhe Snapi arritën marrëveshje para nisjes së gjyqit.
Vendimi i kësaj çështjeje mund të ndikojë mijëra procese të tjera të ngjashme kundër kompanive të mediave sociale. Kompanitë argumentojnë se mbrohen nga ligji amerikan, i cili, sipas interpretimit gjyqësor, i mbron ofruesit online nga përgjegjësia për përmbajtje të krijuar nga palë të treta.
Gjatë procesit ka dëshmuar edhe kreu i Instagramit, Adam Mosseri, i cili kundërshtoi pretendimet për varësi nga rrjetet sociale dhe theksoi se Meta ka vendosur masa mbrojtëse për të miturit, si llogari private për adoleshentët, filtra përmbajtjeje dhe kontrolle prindërore.
Procesi zhvillohet në një moment kur disa vende evropiane po shqyrtojnë kufizime moshe për platformat e mëdha teknologjike, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të ketë pasoja të gjera për industrinë globale të rrjeteve sociale.








