Edhe pse familjet në Kosovë aktualisht furnizohen me energji elektrike nga një operator i vetëm, korniza ligjore u hap rrugë edhe kompanive të tjera që të hyjnë në treg. Ky zhvillim nuk vlen vetëm për bizneset, por potencialisht edhe për konsumatorët familjarë.
Mundësia që qytetarët ta zgjedhin vetë furnizuesin e tyre të energjisë elektrike po shihet si hap i rëndësishëm drejt një tregu më konkurrues. Kjo ide përkrahet edhe nga Instituti për Politika Zhvillimore, i cili thekson rëndësinë e zgjedhjes së lirë për konsumatorët.
Nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) kanë sqaruar se kjo e drejtë është e garantuar për të gjithë konsumatorët, përfshirë edhe ata familjarë. Sipas ZRRE-së, zgjedhja e furnizuesit mund të bëhet në çdo kohë, por vetëm nëse plotësohen kushtet e tregut dhe obligimet kontraktuale.
“Konsumatorët familjarë, pavarësisht se aktualisht furnizohen në kuadër të shërbimit universal dhe përfitojnë nga rregullimi tarifor, kanë të drejtë ligjore të zgjedhin furnizuesin e tyre të energjisë elektrike. Kjo e drejtë ekziston në mënyrë të barabartë për të gjithë konsumatorët dhe mund të ushtrohet në çdo kohë, në përputhje me kushtet e tregut dhe marrëveshjet kontraktuale përkatëse”.
Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike parashihet me legjislacionin në fuqi, si dhe me obligimet që Kosova ka marrë në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Energjisë.
Në këtë drejtim, ZRRE-ja ka theksuar se tregu i energjisë funksionon mbi parimin e hapjes së tregut dhe të drejtës së konsumatorëve për zgjedhje të lirë të furnizuesit.









