Janë kaluar pothuajse 9 vjet që kur Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj tre zyrtarëve të organizatës QAD për mashtrim me grante, por rasti ende nuk ka marrë epilog në gjykatën e shkallës së parë.
Që nga 29 marsi 2017, Valmir Hajrullahu, Freskim Buqaj dhe Saranda Dobruna akuzohen se gjatë periudhës 4 gusht 2014 – 2 dhjetor 2016 kanë organizuar skema piramidale përmes të cilave mashtruan fermerë nga e gjithë Kosova duke iu premtuar grante bujqësore.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit krijuan besim të rremë te qytetarët duke shfrytëzuar gjendjen e tyre të vështirë financiare dhe kërkuan pagesa nga 25 deri në 30 për qind të shumës bazë të grantit. Pagesat bëheshin në llogarinë bankare të organizatës QAD, ndërsa në disa raste u paguan edhe me para të gatshme.
Hajrullahu, Buqaj dhe Dobruna akuzohen gjithashtu se detyruan fermerët të paguanin edhe TVSh për grantet, edhe pse prodhimet bujqësore ishin të liruara me ligj nga kjo taksë. Fermerët paguanin edhe për hartimin e planeve të biznesit nga organizata. Sipas Prokurorisë, shumica e mjeteve të depozituara në llogarinë bankare të organizatës tërhiqeshin menjëherë nga Valmiri dhe Freskimi, të cilët atëherë ishin vetëm 24 vjeç, ndërsa vlera totale e përfitimeve të paligjshme arrinte rreth 600 mijë euro.
Më 21 janar 2020, aktakuza u saktësua dhe u shtuan edhe 11 fermerë të tjerë të dëmtuar. Subvencionet e premtuara përfshinin serra, mjete bujqësore, stalla, mëshqerra, bletë, sisteme ujitjeje, arra dhe kultura të tjera bujqësore. Për të përfituar këto grante, disa fermerë ishin detyruar të marrin kredi, ndër të cilat kishte raste ku pagesat ndaj QAD-it shkonin deri në 100 mijë euro.
Fermerët kanë shprehur pakënaqësi për vonesat e procesit gjyqësor, duke akuzuar gjykatën për zvarritje. Shumë seanca janë shtyrë, kryesisht për mungesën e të akuzuarve. Seanca e fundit u caktua të hënën e 17 nëntorit, por u shty pasi gjyqtari ndodhej në pushim mjekësor, ndërsa seanca e radhës është planifikuar për të hënën e 8 dhjetorit. /Gjurmuesi/







