Dy mumje të lashta, të zbuluara në zemër të shkretëtirës së Saharës, po ndryshojnë mënyrën se si shkenca e kupton historinë e hershme të popullsive njerëzore në Afrikë. Një studim i ri gjenetik ka treguar se këto mbetje 7,000-vjeçare i përkasin një dege të panjohur më parë të trungut familjar njerëzor.
Sot, Sahara njihet si një nga rajonet më të thata dhe më të pafavorshme në planet. Megjithatë, mijëra vite më parë, pamja e saj ishte krejtësisht ndryshe. Gjatë periudhës së njohur si “Periudha e Lagësht Afrikane”, që zgjati afërsisht nga 14,800 deri në 5,500 vjet më parë, kjo zonë ishte e mbushur me liqene, kullota dhe peizazhe të përshtatshme për bujqësi dhe blegtori, duke u shndërruar në një hapësirë të banuar nga komunitete njerëzore.
Një studim i fundit gjenetik sugjeron se një komunitet misterioz që jetoi gjatë periudhës së ashtuquajtur të “Saharës së Gjelbër” mund të sfidojë supozimet e deritanishme për historinë afrikane. Struktura gjenetike e një popullsie që jetonte në jugperëndim të Libisë së sotme paraqet një tablo të papritur për arkeologët dhe shkencëtarët.
Hulumtimet kanë zbuluar se dy mumje 7 mijëvjeçare, të gjetura në strehën shkëmbore Takarkori në shkretëtirën e Saharës, i përkasin një dege të panjohur më parë të pemës familjare njerëzore.
Ekipi shkencor, i udhëhequr nga arkeogjenetistja Nada Salem nga Instituti Max Planck për Antropologji Evolucionare, analizoi ADN-në e dy mumjeve bareshe neolitike, të ruajtura natyrshëm, të zbuluara në këtë zonë.
Megjithëse kushtet klimatike të Saharës e bëjnë ruajtjen e materialit gjenetik jashtëzakonisht të vështirë, ADN-ja fragmentare e përftuar nga këto mbetje ofroi informacion të çmuar mbi popullsitë e lashta të rajonit.
Sipas studimit, të dy individët janë femra dhe i përkasin asaj që shkencëtarët e quajnë “popullatë fantazmë”. Ky term përdoret për grupe njerëzore, ekzistenca e të cilëve është supozuar më parë vetëm përmes gjurmëve të dobëta gjenetike të vërejtura te njerëzit modernë, pa pasur prova fizike të drejtpërdrejta.
Studiuesit theksojnë se origjina gjenetike e individëve të Takarkorit lidhet me një linjë prejardhjeje deri tani të panjohur nga Afrika e Veriut, e cila u nda shumë herët nga komunitetet afrikane subsahariane. Analizat tregojnë se paraardhësit e kësaj popullsie u shkëputën nga komunitetet e tjera njerëzore në Afrikën subsahariane rreth 50,000 vjet më parë, në të njëjtën periudhë kur njerëzit modernë nisën përhapjen e tyre jashtë Afrikës.
Sipas shkencëtarëve, izolimi i gjatë i komunitetit Takarkori mund të jetë ndikuar nga ekosistemet e larmishme të Saharës së Gjelbër. Liqenet, pyjet dhe zonat malore ka të ngjarë të kenë kufizuar ndërveprimin midis grupeve njerëzore për mijëra vjet.
Studiuesit besojnë se nën rërën e Saharës mund të fshihen ende shumë mumje dhe dëshmi arkeologjike të kësaj bote të humbur. Zbulime të tilla pritet të ndihmojnë në plotësimin e mozaikut të jetës njerëzore në Saharë, përpara se ajo të shndërrohej në shkretëtirën e thatë që njohim sot.









