Deri sot, vetëm gjashtë parti politike kanë dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë, njoftoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Afati për dorëzimin online të listave skadon sonte në mesnatë, më 7 dhjetor 2025, ora 23:59. Pas këtij afati, subjektet politike duhet të kenë dorëzuar emrat e kandidatëve për t’u certifikuar dhe për t’u lejuar të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Në total, subjektet që deri tani kanë dorëzuar listat përfaqësohen nga 141 kandidatë: Za Slobodu Pravdu i Opstanak – 12 kandidatë; SOCIJALDEMOKRATSKA UNIJA – SDU – 35 kandidatë; JEDINSTVENA GORANSKA PARTIJA – 23 kandidatë; PARTIA ROME E BASHKUAR E KOSOVËS – 40 kandidatë; Kosovaki Nevi Romani Partia – 11 kandidatë; dhe FJALA – 20 kandidatë.
KQZ njofton se, për të përmbushur detyrimet ligjore lidhur me përshtatshmërinë e kandidatëve për certifikim, Zyra përkatëse do të dorëzojë në disa institucione kërkesat e veçanta së bashku me listat e kandidatëve. Qëllimi është të verifikohet nëse kandidatët janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. /Gjurmuesi/







