Heqja dorë nga duhani është një proces i vështirë, por ushqyerja e duhur mund të ndihmojë trupin të përballojë më lehtë largimin e nikotinës. Disa produkte natyrale ndikojnë në detoksifikim, forcojnë imunitetin dhe reduktojnë dëshirën për nikotinë.
Hithra konsiderohet shumë efektive, pasi është e pasur me hekur dhe vepron si detoksifikues natyral, duke ndihmuar edhe në luftimin e infeksioneve. Ajo forcon organizmin, gjë që është e rëndësishme gjatë periudhës së ndërprerjes së duhanit.
Selinoja, patëllxhani, fasulet dhe kastravecat rekomandohen gjithashtu, pasi ndihmojnë në uljen e varësisë ndaj nikotinës. Nga ana tjetër, duhet shmangur konsumimi i tepërt i perimeve shumë të ëmbla me përmbajtje të lartë sheqeri, sepse glukoza e tepërt aktivizon zonat e trurit që lidhen me kënaqësinë dhe mund të nxisë dëshira për ushqim.
Portokajt, të pasur me vitaminë C, përshpejtojnë metabolizmin dhe ndihmojnë në reduktimin e stresit, duke lehtësuar eliminimin e nikotinës. Edhe kivi kontribuon në pastrimin e trupit dhe rikthen nivelet e vitaminave A, C dhe E, të cilat ulen nga pirja e duhanit.
Lëngu i karrotës, i pasur me vitamina A, B, C dhe K, ndihmon në largimin e nikotinës dhe në rikuperimin e lëkurës së dëmtuar. Brokoli, me përmbajtje të lartë të vitaminave B5 dhe C, forcon organizmin dhe përmban substanca që mbrojnë mushkëritë nga dëmtimet e shkaktuara nga toksinat. Spinaqi, i pasur me vitamina dhe acid folik, është një tjetër ndihmë në procesin e pastrimit të trupit.
Dihet se pirja e duhanit rrit rrezikun e kancerit, sëmundjeve të mushkërive dhe zemrës, ndërsa cigaret elektronike lidhen me rrezik të shtuar për kancer të gojës, ezofagut dhe pankreasit. Studime të mëparshme tregojnë gjithashtu se duhanpirja mund të rrisë rrezikun e diabetit të tipit 2.
Megjithatë, mbetet pyetja se çfarë ndodh kur duhani kombinohet me konsum të rregullt të alkoolit. Edhe pse marrja e tepërt e alkoolit është lidhur me rritjen e rrezikut për sëmundje kronike, ndikimi i tij i drejtpërdrejtë në zhvillimin e diabetit ende nuk është plotësisht i qartë.









