Ukraina pritet të përfitojë një shtytje të madhe ushtarake, pasi Franca ka konfirmuar gatishmërinë për t’i dorëzuar deri në 100 avionë luftarakë të gjeneratës së fundit Rafale F4 dhe sisteme moderne të mbrojtjes ajrore. Kjo marrëveshje përbën një nga angazhimet më të mëdha franceze ndaj Kievit që nga fillimi i luftës.
Presidenti Volodymyr Zelensky dhe homologu francez Emmanuel Macron nënshkruan letrën e qëllimit në një bazë ajrore pranë Parisit, ku ky hap u vlerësua si një moment thelbësor për forcimin e mbrojtjes së Ukrainës ndaj sulmeve të vazhdueshme ruse.
Dorëzimi i avionëve Rafale F4 pritet të shtrihet deri në vitin 2035, ndërsa Franca dhe Ukraina do të nisin që këtë vit prodhimin e përbashkët të dronëve interceptorë, të cilët synojnë të rrisin kapacitetet e neutralizimit të raketave dhe dronëve të Rusisë.
Megjithëse detajet financiare nuk janë bërë ende publike, raportohet se Parisi synon të sigurojë fonde nga Bashkimi Evropian dhe të shfrytëzojë asetet e ngrira ruse – një propozim që ka shkaktuar debate brenda bllokut europian. /Gjurmuesi/







