Sot shënohet 28-vjetori i daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), një ngjarje që lidhet ngushtë me Ditën e Flamurit.
Më 28 nëntor të vitit 1997, UÇK-ja u shfaq për herë të parë në fshatin Llaushë të Skenderajt. Aktiviteti i saj publik u shkaktua nga një ngjarje tragjike: vrasja e mësuesit Halit Geci nga forcat serbe, dy ditë më parë.
Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi ishin të parët që dolën publikisht si ushtarë të UÇK-së gjatë varrimit të Gecit.
Deklarata për daljen e parë publike u përgatit nga vetë ushtarët e UÇK-së, duke shënuar një moment të rëndësishëm në historinë e luftës për liri dhe pavarësi të Kosovës. /Gjurmuesi/







