Ngjarja e paralajmëruar e UFC-së që pritet të mbahet pranë Shtëpisë së Bardhë po merr përmasa edhe më të mëdha sesa ishte menduar fillimisht, duke u shndërruar në një nga eventet më ambicioze sportive në historinë e Washington D.C.-së.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë të ditur se për këtë event do të ndërtohet një stadium i përkohshëm përpara Shtëpisë së Bardhë, me kapacitet deri në 100,000 spektatorë.
Trump nuk ka dhënë detaje shtesë për strukturën apo afatet e ndërtimit, por duke qenë se eventi pritet të zhvillohet brenda më pak se pesë muajsh, puna për ndërtimin e stadiumit mund të nisë shumë shpejt.
Të premten, Trump u prononcua për mediat duke njoftuar se Washington D.C. do të jetë gjithashtu nikoqir i një gare IndyCar në rrugët e qytetit gjatë muajit gusht.
Këto aktivitete janë pjesë e festimeve për 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara këtë verë, çka e shtyu Trumpin të përmendë edhe eventin e UFC-së dhe planet për ndërtimin e stadiumit gjigant.
“UFC po vjen, siç e dini, përpara Shtëpisë së Bardhë. Ata po ndërtojnë, në kuptimin e plotë të fjalës, një stadium. Do të kemi mbi 100,000 njerëz”, ka deklaruar Trump.
Nëse këto plane realizohen, eventi do të përbënte një moment të jashtëzakonshëm për sportet luftarake. CEO i UFC-së, Dana White, ka konfirmuar më herët se organizata do të vendoset në një park pranë për të pritur rreth 85,000 tifozë.
White dhe ekipi i tij synojnë ta shndërrojnë Washington D.C.-në në qendër të vëmendjes për adhuruesit e sporteve luftarake, duke ofruar një përvojë unike, veçanërisht duke pasur parasysh se eventi i UFC-së para Shtëpisë së Bardhë do të jetë vetëm me ftesa.








