Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërkuar që NATO të shqyrtojë mundësinë e përjashtimit të Spanjës nga aleanca, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi vonesat në rritjen e shpenzimeve ushtarake.
Anëtarët e NATO-s, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, ranë dakord në qershor të rrisin shpenzimet ushtarake në 5% të produktit të brendshëm bruto, një nga prioritetet kryesore të Trumpit, i cili ka insistuar që vendet evropiane të investojnë më shumë në mbrojtjen e tyre.
Megjithatë, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez deklaroi se Spanja nuk do të angazhohej për këtë objektiv, duke e konsideruar të papërputhshëm me shtetin e mirëqenies dhe vizionin e vendit për botën.

Gjatë një takimi në Zyrën Ovale me presidentin finlandez Alexander Stubb, Trump theksoi se udhëheqësit evropianë duhet të bindin Spanjën të rrisë angazhimet e saj ndaj aleancës.
“Ju duhet të filloni të flisni me Spanjën. Duhet t’i telefononi dhe të kuptoni pse po mbeten prapa. Nuk kanë asnjë justifikim që të mos e bëjnë këtë, por ndoshta duhet t’i përjashtoni nga NATO, sinqerisht,” tha Trump.
Spanja iu bashkua Traktatit të Atlantikut të Veriut në vitin 1982, ndërsa NATO ka qenë në qendër të vëmendjes që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. /Gjurmuesi/







