Një postim i fundit në rrjetet sociale ka rikthyer tensionet politike në Shtetet e Bashkuara. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shpërndarë një video që ka nxitur polemika të forta dhe reagime të menjëhershme nga figura të njohura të Partisë Demokratike.
Videoja, e publikuar në platformën Truth Social, përmban teori konspirative lidhur me zgjedhjet presidenciale dhe paraqet ish-presidentin Barack Obama dhe bashkëshorten e tij, Michelle Obama, të montuar si majmunë. Në fund të videos njëminutëshe, Obamët shfaqen për rreth një sekondë me fytyrat e tyre të vendosura mbi trupat e majmunëve.
Përveç përmbajtjes fyese, videoja përsërit edhe pretendime të pasakta se kompania Dominion Voting Systems, e cila merret me numërimin e votave, ka ndihmuar në vjedhjen e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në dëm të Trumpit.
Gjatë vitit të parë të mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka shtuar përdorimin e përmbajtjeve vizuale hiperrealiste, por të sajuara, të publikuara në Truth Social dhe platforma të tjera. Këto materiale shpesh e paraqesin atë në mënyrë lavdëruese, ndërsa kritikët i trajtojnë me tallje.
Edhe më herët, Trump kishte publikuar një video të gjeneruar nga inteligjenca artificiale, ku Barack Obama shfaqej duke u arrestuar në Zyrën Ovale dhe më pas duke u paraqitur pas hekurave, i veshur me kostum portokalli burgu.
Në një tjetër rast, ai kishte shpërndarë një video të krijuar me AI ku lideri i pakicës demokratike në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, shfaqej me mjekër dhe sombrero të rreme. Jeffries e cilësoi atë postim si racist.









