Trepça është bërë skuadra kryesuese e Superligës së Kosovës në basketboll pas një fitoreje të bindshme ndaj Borës së Prishtinës. Të martën mbrëma, në palestrën “Minatori”, mitrovicasit triumfuan me rezultat 90:72, duke marrë kryesimin e tabelës.
Ndeshja ishte e mbetur nga xhiroja e pestë e kampionatit dhe u zhvillua në Mitrovicë, edhe pse Bora ishte skuadra vendase. Trepça vendosi fatin e takimit në çerekun e tretë, ku shkëputja ishte thelbësore. Çereku i parë përfundoi 21:16 për Borën, ndërsa pjesa e parë mbyllet me rezultat 39:36 për mitrovicasit. Çereku i tretë u mbyll 38:11 në të mirë të Trepçës, ndërsa çereku i katërt shërbeu më shumë si formalitet.
Ja’cori Payne udhëhoqi ekipin me 17 pikë, nëntë asistime dhe katër kërcime. Mikaile Tmushiq kontribuoi me 14 pikë, pesë kërcime, pesë asistime dhe gjashtë topa të rrëmbyer, ndërsa Drilon Hajrizi shënoi 20 pikë. Te Borë spikati Shaquan Jules me 25 pikë dhe 11 kërcime, ndërsa Amin Hot kontribuoi me 17 pikë, gjashtë kërcime dhe tri asistime.
Bora e Prishtinës kishte një seri prej katër fitoreve radhazi, por këtë herë nuk arriti të ndalë Trepçën. Me këtë fitore, “Xehëtarët” regjistrojnë tetë fitore dhe tri humbje, duke udhëhequr tabelën me 19 pikë. Bashkimi dhe Peja ndiqen me nga 18 pikë, ndërsa Bora me pesë fitore dhe gjashtë humbje renditet në mes të klasifikimit me 16 pikë.
Superliga vazhdon të mërkurën me dy ndeshjet e para të xhiros së 12-të: GO+ Peja – Sigal Prishtina dhe Vëllaznimi – Rahoveci, të cilat nisin nga ora 18:45. Të enjten, po nga ora 18:45, zhvillohen Bashkimi – Golden Eagle Ylli dhe përsëri Trepça – Bora, ku dy skuadrat që luajtën të martën do të takohen sërish në të njëjtën arenë. /Gjurmuesi/








