Përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës në ishullin Sumatra të Indonezisë kanë shkaktuar viktima në masë, me numrin e të vdekurve që ka arritur 708 persona, njoftoi agjencia indoneziane për fatkeqësi natyrore të martën. Autoritetet po punojnë intensivisht për riparimin e infrastrukturës dhe shpërndarjen e ndihmës në zonat më të prekura dhe të izoluara.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur vonë të martën, agjencia bëri të ditur se 708 persona kishin humbur jetën që nga java e kaluar. Kjo shifër është pak më e ulët se 753 të raportuara më parë në faqen e saj zyrtare, pa dhënë një arsye për mospërputhjen, raporton Reuters.
Ekipet emergjente po fokusohen në shpërndarjen e ndihmës përmes rrugëve tokësore, detare dhe ajrore, pastrimin e rrugëve të bllokuara dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara në infrastrukturë.
“Shpresojmë vërtet se mund të përshpejtojmë shpërndarjen e logjistikës”, tha zëdhënësi Abdul Muhari, duke theksuar përpjekjet për të arritur sa më shpejt të prekurit dhe për të zvogëluar pasojat e fatkeqësisë. /Gjurmuesi/







