Droni kosovar “Skifteri” ka tërhequr vëmendjen pas publikimit të pamjeve të testimit, ku u demonstruan aftësitë goditëse me rreze veprimi deri në një mijë kilometra. Tani janë sqaruar edhe disa detaje të rëndësishme rreth vendit dhe kushteve të këtij testimi.
Ridvan Aliu, prodhuesi i dronëve, bëri të ditur se testimi nuk u zhvillua në Kosovë, por jashtë vendit, në lokacionin e klientit. Ai shtoi se goditja e kryer është reale, por për arsye sigurie dhe me kërkesë të klientit, pamjet janë invert dhe me night vision aktiv. “Më shumë informata nuk mundem të jap”, tha Aliu.
Sipas tij, kufizimi i informatave lidhet drejtpërdrejt me sigurinë dhe marrëveshjen me klientin, pasi projekti konsiderohet i ndjeshëm për shkak të kapaciteteve teknologjike të dronit.
Të dhënat e publikuara tregojnë se “Skifteri K1” ka kohë fluturimi prej 7 orë e 12 minutash, rreze veprimi mbi 1 mijë kilometra dhe kapacitet bartës deri në 42 kilogramë.
Publikimi i pamjeve nga testimi ka ngjallur interes të madh publik dhe shihet si një hap i rëndësishëm në zhvillimin e teknologjisë së mbrojtjes dhe inovacionit vendor.







