Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në kryeqytet, ku një i mitur ka mbetur i lënduar si pasojë e një sulmi me thikë.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti është regjistruar rreth orës 20:05 në rrugën “Agim Ramadani”, ku Policia e Kosovës ka ndërhyrë pas raportimit për një përleshje fizike.
“…Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë-njëri i mitur, pasi që të njëjtit kishin sulmuar fizikisht me mjet të mprehtë (thikë) viktimën mashkull kosovar- i mitur”, thuhet në njoftim.
Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa tre të dyshuarit, pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Rasti është iniciuar si “vrasje në tentativë” dhe po trajtohet nga organet e rendit. /Gjurmuesi/







