Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik të mërkurën pasdite në Prishtinë, ku në zonën e Veternikut u gjet pa shenja jete në veturën e tij Hekuran Hoxha, kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për deputet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Familja e të ndjerit ka bërë të ditur se ceremonia e varrimit do të mbahet të premten, duke filluar nga ora 14:00, në Varrezat e Qytetit në Gjakovë.
Lidhur me rastin, Policia e Kryeqytetit ka dhënë detaje zyrtare një ditë më parë, duke konfirmuar pranimin e informatës dhe nisjen e hetimeve.
“Rreth orës 15:00 kemi pranuar informatën se një person pa shenja jete gjendet në një automjet në Veternik në Prishtinë”.
“Vdekjen e viktimës (mashkull) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vend ngjarje. Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen si dhe po vazhdon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, tha Policia.







