Dogana e Kosovës ka prezantuar rezultatet e punës së saj gjatë vitit, duke bërë të ditur se të hyrat e mbledhura kanë shënuar një rritje prej 135 milionë eurosh krahasuar me vitin paraprak. Kjo është njoftuar gjatë konferencës vjetore të institucionit, ku u përmend edhe fakti se 98 për qind e të hyrave deklarohen vullnetarisht nga bizneset.
Drejtori i Doganës, Agron Llugaliu, tha se dogana ka përmbushur objektivat në të gjitha fushat e misionit të saj. Ai bëri të ditur se projeksionet fillestare të Qeverisë parashikonin të hyrat në shumën prej 1 miliard e 897 milionë euro, ndërsa deri në fund të vitit Dogana pritet të mbledhë 1 miliard e 968 milionë euro, duke tejkaluar projeksionet për 70 milionë euro.
“Ne vlerësojmë se disa faktorë kanë ndikuar në këtë sukses, përfshirë rritjen ekonomike, por edhe gatishmërinë e bizneseve për t’u përmbajtur ligjeve sa i përket pagesës së tatimeve. Kjo është veçanërisht e theksuar duke pasur parasysh se 98 për qind e të hyrave realizohen përmes deklarimit vullnetar. Po ashtu, Dogana e Kosovës ka bërë përpjekje të vazhdueshme për kontrolle efektive në terren dhe për një luftë të qëndrueshme kundër informalitetit”, deklaroi Llugaliu.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, theksoi se rritja e deklarimeve vullnetare është rezultat i përpjekjeve kundër kontrabandës.
“Siç u pa nga pasqyrat e raportit, rezultatet tregojnë një sukses të vazhdueshëm. Gjatë pesë viteve të fundit, pothuajse në të gjitha vitet ka pasur tejkalim të projeksioneve krahasuar me atë që ishte planifikuar në fillim të vitit. 98 për qind e vlerës së mbledhur vjen nga deklarimet vullnetare, gjë që tregon se shumica e deklarimeve janë të sakta. Ky rezultat ka ardhur si pasojë e luftës së pakompromis ndaj kontrabandës dhe rrugëve të tjera ilegale, si dhe rritjes së kontrollit”, tha Murati.









